Gjykata e Lezhës ka lënë në burg portugezin e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Ruben Saraiva u njoh sot me rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Kujtojmë se seanca e caktuar më 11 Mars u shty për arsye se avokati i Saraivës nuk ishte njohur me fashikullin e dosjes hetimore.

Avokati Kujtim Cakrani bëri me dije se nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë klientin e tij si autor të vrasjes së biznesmenit. Sipas tij, policia dhe prokuroria kanë më shumë dyshime, sesa prova.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 Prill të vitit të shkuar rreth orës 13:30 brenda lokalit në pronësi të Nikulajt, në Lezhë. Ky i fundit ishte i ulur në një nga tavolinat, kur autori futet brenda dhe e qëllon 7 herë në kokë dhe trup. Arrestimi i Saraivës u bë i mundur rreth një muaj më vonë në Marok.

Saraiva erdhi në Shqipëri në 14 Shkurt të 2023 dhe sipas Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, ai u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë, duke mësuar shqip dhe bërë humor me qytetarët e zonës.

Në kërkim si një nga bashkëpunëtorët kryesore të ngjarjes, mbetet ende shtetasi anglez, Harry Simpson, i cili u lagua nga Rinasi me destinacion Anglinë. Në Angli ndodhen të ndaluar dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit, 4 nga autorët e ngjarjes, 3 britanikët vëzhgues dhe Edmond Haxhia. Autoritetet thonë se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen.