15 prill 2014 – Gjykata e Nju Jorkut i ka ngrirë gjigantit energjitik italian “ENEL” dhe “ENEL Power”, pasuri me vlerë 597,4 milionë dollarë. Firma italiane në pronësi të zotit Beketi dhe e ortakëve të tjerë italo-shqiptarë e regjistruar në Shqipëri me emrin “Albania Beg Ambient SHPK” ju drejtua Gjykatës së Nju Jorkut për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Shqipërisë ( Gjykata e Lartë) marrë në 7 mars 2011,që kishte vendosur një dëmshpërblim prej 430 milion eurosh duhej t’i paguhej firmës Albania Beg Ambient SHPK” nga gjigandi “ENEL”. Ky dëmshpërblim do të paguhej, sepse “ENEL” kishte shkelur një kontratë me firmën e z. Beketi dhe ortakëve të tij për të ndërtuar së bashku hidrocentralin e Kalivacit afër Tepelenës.

“Albania Beg Ambient SHPK”, e ka hedhur në gjyq “ENEL-in” edhe në Francë në Gjykatën e Instancës së Lartë të Parisit. Me kërkesën e Albania Beg-ut janë vënë nën sekuestro konservative në Francë disa kredi të “ENEL France” si edhe kredi të marra nga banka “J.P. Morgan Bank ” e Luksenburgut.

ENELI nga ana e vet ka hedhur në gjyq “Albania Beg Ambient SHPK” në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkelje të së drejtës së një procesi gjyqsor të drejtë dhe të ndershëm të bazuar në parimin e ligjshmërisë me qëllim që të dënojë Republikën e Shqipërisë për të paguar dëmet pronësore dhe jo pronësore të shkatuara ENEL-it në Shqipëri nga veprimet e firmës : Albania Beg Ambient SHPK”.

Sic thotë proverbi, kur grinden elefantët shkelet bari. Kur grinden dy firma italiane për Kalivacin e Tepelnës ka mundësi “të shkelet bari” d.m.th. të dënohet Shqipëria të paguajë qindra milion euro dëmshpërblim për sherret e firmave italiane.

Le të shpresojmë që Qeveria rilindase Rama, t’i kushtojë vëmendjen e duhur këtij gjygji, që mund ta nxjerrë Shqipërinë si të thuash me këpucë të kuqe.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/