Arbër Çekaj dënohet me 21 vite burg, por me përfitim ulje për 613 kg kokainë që ju gjetën në magazinën e tij në Durrës.
Sot u zhvillua seanca në GKKO, ku Çekaj mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një konteineri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.
Ai nuk u gjet fillimisht në Shqipëri, pasi fshihej në Gjermani, teksa më pas iu dorëzua autoriteteve për të vijuar një kalvar seancash që në fund e shpallën fajtor. Ai dënohet me 21 vite burg, por përfiton ulje pasi ka pranuar gjykim të shkurtuar.
Pas vendimit, avokati mbrojtës Maks Haxhia u shpreh se: “Për çudi kjo gjykatë na tregoi vendimin për moslejimin e mediave, ndërsa kur dha vendimin i futi mediat. Është proces komik. Ju siguroj se çdo jurist,do të skandalizohet me këtë vendim sepse nuk kishte asnjë provë që të favorizonte akzuën. Kjo gjykatë, nuk them dot as e Ballshit, se kam respekt për vendlindjen time. Nuk kishte provë. Është shumë e thjeshtë.Gjyqtarja ka kandiduar për në Apel, karriera e tyre është në prioritet. I thashë që unë s’jam Zoti që të them e ka bërë apo jo Arbër Çekaj, por di të them që nuk ka prova. Prandaj jam i irrituar se nuk u la media në seancë.”





