Gjykata e Posaçme vendos ‘arrest shtëpie’ për ish-zëvendës ministren e Punëve të Brendshme Rovena Voda. Ish-zëvendës ministrja është e dyshuar për ‘ushtrim ndikimi të paligjshëm’

Sipas njoftimit të SPAK: “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal që bën fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendës ministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive.”