Gjykata e Prishtinës ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Murseli. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen po vijojnë.  Bashkëshorti i të ndjerës sipas mediave në Kosovë, më seancë nuk ka pranuar se ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprimeve penale, me qëllim vrasjen e gruas së tij.

Sipas medieve kosovare, Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.

Avokati i tij, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsërisë veprën penale se nuk e ka bë”.

Në bankën e të akuzuarve është edhe Granit Plava, i cili dëshmoi më herët për policinë se mori 15 mijë euro nga Naimi për t’i vrarë bashkëshorten, ndërsa pjesën tjetër do e merrte pas krimit. Personi tjetër i arrestuar dhe që doli para gjykatës është Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granit Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen. Ai u ka dalë para makinës me të cilën po udhëtonte Naim Murseli me Liridonën dhe dy fëmijët. Bashkëshorti është larguar më fëmijët, ndërsa Granti Plava ka qëlluar Liridonën në këmbim të 30 mijë eurove.

Pranë gjykatës ishin familjarë të Liridonës, por ata nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë edhe pse kishin bërë kërkesë për këtë. Vëllai saj Leonard Ademaj, tha pas seancës se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të së motrës nga fshati Cermanji dhe rivarrosjen afër varrezave në fshatin e prindërve të saj, Rracaj.

“E kemi kërkuar zhvarrimin e saj, kemi shkuar në Polici, e kemi kërkuar me ligj nëse mund ta marrim trupin e motrës me e pru këtu sepse nuk duam ta lëmë në tokën e tyre që na prenë në besë, më mirë në tokën e prindërve, të gjyshërve”, tha Leonard Ademaj.

Kërkesa u aprovua dhe rivarrimi do të bëhet nesër në orën 14:00. Vëllai i saj ka thënë se beson tek drejtësia e Kosovës dhe se shpreson që rasti i motrës së tij të jetë i fundit.

Ndërkohë pranë gjykatës së Prishtinës protestuan disa gra për vrasjen e Liridonës, duke mbajtur në duar pankartat “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. Protestë u zhvillua edhe në Tiranë, para ambasadës së Prishtinës, së cilës iu bashkua edhe ambasadori Skënder Durmishi.