Tenisti italian Jannik Sinner (23 vjeç) rezultoi pozitiv në një test antidoping të kryer marsin e kaluar (2024), me rastin e Masters 1000 në Indian Wells, turne në të cilin u eliminua në gjysmëfinale nga spanjolli Carlos Alcaraz.Gjurmët e Clostebolit u gjetën në gjakun e kampionit, në sasi shumë të vogla. Pas një “hetimi të plotë dhe të gjerë”, të kryer nga Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA), u vërtetua se marrja e Clostebol, një steroid anabolik, ishte e pavullnetshme.Për këtë arsye Sinner – fitues i ri i Masters 1000 në Cincinnati – u shpall i pafajshëm dhe nuk mori asnjë skualifikim. Që do të thotë se ai do të luajë rregullisht US Open, duke filluar nga e hëna më 28 gusht.
Kontaminimi i pavullnetshëm ndodhi përmes trajtimit të marrë nga fizioterapisti i tij, i cili përdori një produkt pa recetë – i cili mund të blihet në çdo farmaci italiane – që përmban Clostebol për të trajtuar një prerje në gishtin e tij.I pavetëdijshëm për praninë e substancës, fizioterapisti më pas e trajtoi Sinnerin pa doreza, duke rënë në kontakt me një dëmtim lëkure të tenistit italian dhe duke shkaktuar kështu kontaminim.“Pas një hetimi të pavarur, Gjykata e shpalli Jannik të pafajshëm. Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën e përgjegjësisë së rreptë të rregullave antidoping, ai pranon të humbasë pikët e turneu Indian Wells ku u zhvillua testi, duke njohur rëndësinë e rregullave strikte antidoping të ITIA, për mbrojtjen e sportit që ai e do”, thuhet në një reagim në faqen e tenistit, e raportuar nga “La Repubblica”.
Dhe nuk mungoi as reagimi publik i vetë tenistit:“Tani do ta lë pas vetes këtë periudhë të vështirë dhe thellësisht fatkeqe. Do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që do të vazhdoj të respektoj programin antidoping”, tha tenisti. ITIA bëri të ditur se Sinner iu nënshtrua dy herë testeve antidoping, të cilat zbuluan pozitivitet, 8 ditë larg njëri-tjetrit. Vendimi i një gjykate të pavarur për ta shpallur Sinner të pafajshëm është marrë më 15 gusht dhe “mund të apelohet nga Wada dhe NADO”, pra agjencia botërore e antidopingut dhe ajo italiane.
Në këtë çështje ka ndërhyrë edhe ATP, shoqata botërore e tenistëve profesionistë.”Ne jemi të inkurajuar që nuk është gjetur asnjë faj apo neglizhencë nga ana e Jannik Sinner. Ne gjithashtu dëshirojmë të njohim fuqinë e procesit hetimor dhe vlerësimin e pavarur të fakteve, si pjesë e Programit të Tenisit Anti-Doping (TADP), gjë që e lejoi atë të vazhdojë të konkurrojë”, shprehet ATP. Dhe më tej thekson se “kjo ka qenë një çështje sfiduese për Jannik dhe ekipin e tij dhe thekson nevojën që lojtarët dhe rrethuesit e tyre të kenë kujdes maksimal kur përdorin produkte ose trajtime”.