Gjykata e Strasburgut ka refuzuar padinë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Mark Frroku, i cili paraqiti në këtë gjykatë një ankesë kundër arrestimit të tij në vitet 2015 dhe 2016. Në një dokument të publikuar sot, Gjykata e Strasburgut, thotë se nuk ka asnjë shkelje të nenit 5 të Konventës.

Në vendim thuhet se në vitin 2015, Frroku anëtar i Parlamentit në atë kohë, u ngritën tre grupe procedimesh penale kundër tij, duke përfshirë atë të vrasjes me paramendim, pastrimit të parave dhe deklaratave të rreme.

Ai u vu nën arrest shtëpiak nga 26 marsi i vitit 2015, ndërsa Parlamenti autorizoi arrestimin e tij më 2 prill të atij viti.

Në procedurat gjyqësore të mëvonshme, Gjykata Supreme e vërtetoi ligjshmërinë e vendosjes në paraburgim, duke gjetur se ekziston rreziku i manipulimit të provave.

Frroku dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese kundër arrestimit, ankesë e cila u hodh poshtë po atë vit.