Tiranë, 9 prill 2014 – Gjykata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, penalizoi përsëri Shqipërinë me një vlerë mbi 8 milion euro. Gjykata ka publikuar 10 vendime me palë shtetasit shqiptar kundër Shqipërisë, ku qeveria shqiptare është gjetur me shkelje për mos kompensimin e pronave të dhëna me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Brenda 3 muajsh, qeveria shqiptare është detyruar t‘i ekzekutojë këto vendime, duke i kompensuar 8 kryefamiljarët, të cilëve për 17 vite nuk i është kompensuar prona. Sipas avokati Puto, në Gjykatën e Strasburgut deri në fund të vitit 2012 janë depozituar 379 ankime, shumica prej tyre për mos kompensimin e pronave nga shteti shqiptar.
Avokati Puto sqaron se Gjykata e Strasburgut i ka dhënë kohë qeverisë shqiptare, që brenda disa muajve t’i ofrojë një zgjidhje 60 çështjeve, të cilat kanë të njëjtin objekt, kompensimin e pronës, në të kundërtën do të penalizohet me vendim gjykate, i cili është i detyrueshëm për t’u ekzekutuar. Avokati shpreson se qeveria do të gjejë një alternativë për këtë problem, që në të kundërtën do të ketë penalitetete të papërballueshme financiare për shtetin shqiptar. Nga ana tjetër, rezulton se deri më tani janë dhënë 16 vendime kundër Shqipërisë, me vlerë mbi 9 mln euro.
Të gjithë këto penalitete që qeveria do t’i paguajë qytetarëve që fitojnë çështjet në Gjykatën e Strasburgut, paguhen nga fondi rezervë i qeverisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





