TIRANE– Në 20 dhjetor, Kodi i ri Penal do të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. Me kërkesë të Gjykatës së Tiranës, kërkohet zbutja e dënimit për rastet e kalimit të paligjshëm të dënimit apo të trafikimit të qenieve njerëzore. Në padinë e saj, gjykata e kryeqytetit kërkon “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 186 dhe 298 të Kodit Penal, në pjesën që parashikojnë dy dënime kryesore”.

Kur ka kaluar vetëm një vit nga ndryshimet kushtetuese, gjykatat e shkallëve të ndryshme kanë kërkuar disa herë nga Kushtetuesja shfuqizimin e neneve të veçanta të Kodit Penal. Për veprën e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufijve, thuhet se strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga tre milionë lekë deri në gjashtë milionë lekë.

Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë. Nëse ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Për ato raste kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë. Të punësuarit në shtet të cilët shfrytëzojnë funksionin shtetëror ose shërbimin publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë. I njëjti lehtësim në dënim kërkohet edhe për falsifikimin e dokumenteve.

Aktualisht, falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një here apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Nëse falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë. Dënimi me të holla apo dënimi me gjobë bën pjesë në dënimet pasurore. Me anë të këtij dënimi, kryesi i veprës penale detyrohet që brenda afatit të caktuar të paguajë një shumë të hollash në dobi të shtetit. Ky lloj dënimi është i përshtatshëm për veprat penale të lehta, por mund të parashihet edhe për kriminalitetin e mesëm.

                                                                                                    Marrë nga gazeta SHEKULLI