TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur të riverifikojë ekspertizën e Ndoc Çardakut në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit. Sipas këtij eksperti plumbi që ka goditur njërin prej viktimave të 21 Janarit, Ziver Veizin kishte bërë rikoshet në pemë, pastaj kishte prekur trupin e tij. Eksperti sqaron se në këmishën e të ndjerit janë gjetur edhe ashkla druri. 

Por prokurorët e cështjes e kanë kundërshtuar kërë aktekspertizë, duke kërkaur ekspert të ri për çështjen. Sipas tyre Çardaku nuk ka përgatitjen e nevojshme për ta bërë këtë. Gjykata e Tiranës vendosi të pyesë dy ekspertë të tjerë për çështjen. 

 

EKSPERTIZA E ÇARDAKUT 
Eksperti Ndoc Çardaku dëshmoi para gjykatës se në rrobat e viktimës Ziver Veizi pikërisht në këmishën e tij është vënë re një dëmtim. Gjatë këqyrjes mikroskopike janë konstatuar dy copëza të ngurta të ngjitura në fibrat e këmishës, të drejtuara nga jashtë brenda. Eksperti tha se njëra prej copëzave i përket lëvozhgës ndërsa tjetra pjesës së brendshme të trupit të një peme.

Sipas tij ato janë mbetje të predhës që ka shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit. Çardaku ka sqaruar gjithashtu se nga kqyrja e rrobave është vënë re se dëmtimi i vrimës së hyrjes së predhës ka qenë më i madh se sa mund të shkaktohej nga një qitje direkte. Po sipas ekspertit, nëse qitja do të kishte qenë e drejtpërdrejtë, atëherë dëmtimi që do të linte në këmishë apo në trup do të ishte në formë rrethore apo ovale, ndërsa në rastin konkret nuk kemi asnjë nga këto forma.Ndoc Çardaku ishte eksperti i zgjedhur nga organi i akuzës për të bërë kqyrjen e teshave të 4 viktimave të 21 janarit.