Tiranë, 10 mars 2014– Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për pushimin e çështjes së ngritur ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të Bashkisë së Vlorës. Vendimi është marrë një javë pasi Gjika kishte dorëzuar në gjykatë këtë kërkesë. Gjika akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
 
Sipas kryebashkiakut të Vlorës, gjykata duhej të pushonte çështjen pasi kanë kaluar të gjitha afatet e hetimit dhe ato të gjykimit. Kreu i Bashkisë së Vlorës, i cili ishte prezent në seancë tha se është një proces i montuar politikisht ndaj tij.

Gjika akuzohet për abuzime në dhënien e lejeve të ndërtimit në dy raste nga prokuroria. Funksioni i tij si kryetar bashkie u përdor si argument nga prokuoria për të zhvendosur procesin ndaj tij nga Vlora në gjykatën penale në Tiranë. Sipas avokatëve mbrojtës të Gjikës, i pavlefshëm ishte dhe akti i ekspertimit që prokuroria ka kryer për dy pallatet pa leje në Vlorë. Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe Eleni Dardha, Gëzim Peta, Gentian Sherifaj, Gerti Liçaj, Mustafa Tartari, Aleks Ahmetaj dhe Artan Ferhati, kryesisht punonjës të bashkisë së Vlorës.

Seanca e rradhës do të mbahet ditën e hënë në datën 17 mars 2014.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/