Gjykata e Tiranës ka vlerësuar si një ndërhyrje joproporcionale veprimet ndaj gazetarëve të grupit mediatik “Focus Media” dhe ka urdhëruar marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e integritetit të tyre profesional, përmes kthimit të sendeve personale dhe pajisjeve të punës. Ky vendim është marrë në kuadër të një procedure për sigurim padie.

Në vlerësimin e saj, Gjykata ka vendosur një vijë të qartë ndarëse mes mosmarrëveshjeve kontraktuale mes palëve dhe respektimit të lirisë së shprehjes, duke u dhënë të drejtë gazetarëve në shqetësimet e tyre.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas një kërkese për sigurim padie nga kompanitë Focus Media News dhe Panorama Group, në pronësi të botuesit Irfan Hysenbelliu, të cilat kërkuan pezullimin e efekteve të ndërhyrjes së kryer nga shoqëria shtetërore “KAYO” sha dhe Policia e Shtetit në mëngjesin e 9 gushtit.

Gjykata nuk mori parasysh pretendimet e palëve mbi kontratat e qirasë, duke i konsideruar ato si çështje që duhet të shqyrtohen nga Gjykata Administrative, por u ndal gjatë në analizimin e pasojave që solli ndërhyrja, sidomos në kufizimin e punës së gazetarëve dhe të drejtës së tyre për të dhënë informacion.

Në vendim, theksohet rëndësia e ndarjes së interesit privat të shoqërive mediatike nga cënimi i drejtpërdrejtë i punës së gazetarëve, si dhe nga kufizimet që mund të vijnë për shkak të mosmarrëveshjeve të këtyre shoqërive me shtetin.

“Në këtë drejtim, gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me gjendjen që pas solli këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë,” thuhet në vendim.

Sipas Gjykatës, mosmarrëveshjet mbi zbatimin e kontratave nga subjekte që ushtrojnë veprimtari mediatike duhet të zgjidhen në një mënyrë që të prekin sa më pak të jetë e mundur lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të dhënë informacion.

“Shteti ka të drejtë të mbrojë interesat e tij, por edhe mbrojtja e lirisë së shprehjes është gjithashtu një detyrim ndërkombëtar, i shtrirë si në drejtim vertikal ashtu edhe horizontal,” thekson vendimi, duke shtuar se “gazetarët do të duhej të lejoheshin që të merrnin sendet e tyre personale dhe ato të punës”.

Si ndodhi ndërhyrja

Më 9 gusht, ndërtesat e përdorura nga “Focus Media Group” u bllokuan nga Policia e Shtetit, e cila rrethoi godinën në Shkozë, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe ndaloi hyrjen e gazetarëve, duke ndërprerë transmetimin e News24 në orën 07:36.

Situata u përkeqësua më tej të hënën, kur kamionë të ushtrisë u filmuan duke ngarkuar mobilje dhe pajisje nga ambientet e redaksisë, përfshirë edhe kompjuterët e gazetarëve. Ky operacion solli ndërprerjen e sinjalit të televizionit informativ News 24 dhe pengimin e punës për mediat e tjera të grupit.

Veprimet janë dënuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat kanë kërkuar shpjegime nga qeveria dhe heqjen e bllokadës ndaj mediave dhe gazetarëve.

Deklarimet e kompanisë shtetërore “KAYO”

Në shpjegimet e dhëna para gjykatës, shoqëria shtetërore “KAYO” – e ngritur për prodhimin e armatimeve – ka pohuar se pajisjet e marra nga godina e përdorur nga “Focus Media News” i ka transferuar në Rezervat e Shtetit dhe se “ato mund të tërhiqen në çdo moment nga pronari i tyre”.

Urdhri i gjykatës

Gjykata e Tiranës urdhëroi Zyrën e Përmbarimit Shtetëror që brenda 24 orëve të marrë masa për:

Identifikimin dhe inventarizimin e sendeve personale të gazetarëve

Kthimin e tyre, përfshirë dokumentet fizike dhe elektronike që ndodhen në kompjuterët e punës apo në Rezervat e Shtetit

Gjithashtu, brenda 48 orëve, Zyra e Përmbarimit duhet të kryejë:

Identifikimin dhe inventarizimin e pajisjeve në pronësi të “Focus Media News”

Sipas rastit, lënien e tyre në ruajtje ose kthimin tek kërkuesit