Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave Tiranë, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pasurinë e ish-gjyqtarit Shkëlqim Mirit.
Afro 175 mijë euro, 9.3 milionë lekë dhe 1 mijë dollarë që deri dje figuronin në llogari të ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, të akuzuar për korrupsion, dje kaluan në llogari të shtetit.
Në dokumentet e siguruar nga gazeta “Panorama”, urdhërohet ekzekutimi i vendimit të datës 15.07.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u vendos konfiskimi i pasurive: Konfiskimin e shumës monetare me vlerë 144 810 euro, të shumës monetare 1000 dollarë, si dhe shumën monetare me 9 335 935 lekë në zotërim të Shkëlqim Mirit.
Ndërkaq, urdhërohet pezullimi i pasojave të ekzekutimit të zbatimit të masës së sekuestrimit dhe konfiskimit për vlerën 30 mijë euro. Pezullimi përfundon menjëherë sapo të bien masat e sekuestrimit apo konfiskimit të vendosura në kuadër të procedimit penal që lidhet me vendimin penal nr.129 datë 27.11.2018, të ishGjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Po ashtu urdhërohet vënia në ekzekutim e vendimit të datës 15.07.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin është vendosur revokimi i masës së sekuestrimit për vlerën monetare prej 269.065 lekë dhe kthimin e kësaj shume shtetasit Shkëlqim Miri.
Për këtë vlerë, Gjykata arsyeton se është përfituar nga të ardhura të ligjshme (paga, etj.) dhe kërkohet kthimi i saj tek ish-gjyqtari Miri.





