Prokuroria e Apelit të Vlorës ka riurdhëruar arrestimin e zyrtarëve të INUV-it të bashkisë. Urdhër arrestet u nxorën pasi gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së parë për detyrim paraqitje. Mbi të gjashtë personat rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe ndërtimit të paligjshëm.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për masën arrest me burg për Edmond Aliaj, administrator i një subjekti ndërtimi, David Tushaj, kryeinspektor i INUV-ut, Besnik Karabolli, ish-kryeinspektor i INUV-it të Vlorës, në periudhën qershor 2012- nëntor 2014, dhe Oltian Bejo, inspektor në INUV-in e Vlorës. Gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje për Marjol Mustafarajn dhe Endri Zenelin.

Në mars të këtij viti nisi hetimi në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008”, në pronësi të Edmond Aliaj, po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën. Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit.