DURRES, 12 qershor 2013 – Gjykata e Durrësit vleftëson të paligjshëm arrestimin e durrsakut dhe lë në burg pa afat 32 vjeçarin nga Elbasani, ndërsa zhvendos shqyrtimin e çështjes në Kavajë.
Një nga dy të arrestuarit e operacionit të bujshëm policor “Sfida” është lënë i lirë nga Gjykata e Durrësit gjatë seancës gjyqësore për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit për shtetasit Ervis Bardhi dhe Gentian Malindi.
Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja e seancës Shpëtime Pitaku vendosi të vleftësojë të paligjshëm dhe të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit për shtetasin Gentian Malindi, 37 vjeç, banor i Durrësit.
Ndërkohë për shtetasin Ervis Bardhi arrestimi në flagrancë u vleftësua i ligjshëm dhe si masë sigurimi u caktua ajo “Arrest në burg”, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Në seancë mësohet se posedimin e lëndës narkotike e ka marrë përsipër Bardhi, duke rrëzuar akuzat ndaj Malindit.
Njëkohësisht gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes në ngarkim të arrestuarit Ervis Bardhi dhe vendosi dërgimin e akteve për shqyrtim Gjykatës së Rrethit Kavajë, si gjykatë kompetente.
Malindi dhe Bardhi u arrestuan në zonën e plazhit në kufirin që ndan rrethet e Durrësit dhe Kavajës. Operacioni policor "Sfida" u deklarua se finalizoi me sukses hetimin disamujor të strukturës antidrogë në policinë e Durrësit, duke çuar në sekuestrimin e një furgoni me 500 kg drogë dhe arrestimin e dy personave të përfshirë në prodhim e mbajtje lëndësh narkotike.
Në orën 02.30 të së shtunës u arrestuan në flagrancë Gentian Malindi, 37 vjeç banor i plazhit të Durrësit, si dhe Elvis Bardhi 32 vjeç me banim në Elbasan. Sasia e lëndës narkotike u gjet dhe sekuestrua në një furgon mallrash tip “Mercedes Benz” me targa AA 938 AE. Bashkë me drogën dhe mjetin policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dhe disa telefona celularë, si dhe një shumë parash.
Burimet policore sqaruan se sasia e kosniderueshme e lëndës narkotike vinte nga jugu i Shqipërisë, Lazarati dhe dyshohet se një pjesë e saj do të qëndronte për shpërndarje në tregun e brendshëm, tani në periudhën e sezonit turistik kur dhe numri i përdoruesve rritet.
Hetimet e mëtejshme për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, që pritet të zbardhë destinacionin e saktë të lëndës narkotike, si dhe rrjetin e personave të përfshirë në të, ndërsa gjykimi do të bëhet në Gjykatën e rrethit Kavajë.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





