Itali, 26 mars 2014 – Gazeta më prestigjioze italiane “Corriere della sera” informon se në shkurt të këtij viti Gjykata administrative rajonale e Lacios (TAR) ka vendosur se studentët italianë, që studiojnë mjekësi në Tiranë në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, mund të transferojnë studimet në universitetet italiane,pasi të japin dy provime shtesë. Ky vendim i gjykatës mbështetet në faktin që Universiteti katolik në Tiranë është i mbështetur nga disa universitete italiane si “Universita Statale di Milano”, “Universita di Bari” e “Seconda Universita di Roma”, si dhe ka programe shumë të ngjashme me universitetet italiane. Në këtë universitet japin leksione një numër i konsiderueshëm profesorësh italianë, gjë që jep siguri për nivelin e lartë të mësimdhënies të krahasueshëm me universitetet italiane.
Një vendim i tillë është i rëndësishëm, sepse këtë vit shkollor për 7918 të drejta studimi për mjekësi në të gjitha universitetet italiane konkuruan plot 62 000 kandidatë. Tashmë kush nuk fiton konkursin në Itali, mund të studiojë për mjekësi duke kaluar nga Tirana fqinjë me Italinë. Kostoja totale për një vit studimi në Tiranë nuk i kalon 10 000 eurot, përfshirë shkollimin, ushqimin, fjetjen, transfertën Itali-Shqipëri etj. Ky vendim i gjykatës italiane tregon, që në Shqipëri krahas diplomave skandal si ajo e Universitetit “Kristal” për “trupeshkun” të birin e legistit Bossi, ka edhe universitete serioze si Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të mirë”.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





