Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj dy autorëve të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe shtetasve Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza..

Gjykatësja Eda Kaja ka lënë në burg shtetasit: Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë dhe Klevis Alla, 22 vjeç, banues në Durrës, të cilët u arrestuan ditën e djeshme në kuadër të operacionit “Shën Vlash”.

Ata janë shoqëruar mëngjesin e sotëm nën masa të rrepta sigurie drejt Gjykatës së Durrësit dhe gjatë mbajtjes së seancës që u zhvillua pa praninë e medieve, institucioni ishte i rrethuar nga forca të shumta policore.

Këta persona në bashkëpunim edhe me dy të tjerë që janë në kërkim, akuzohen se janë autorë të ekzekutimit të 2 vëllezërve Haxhia si dhe të ngjarjes së ndodhur më 02.03.2020, po në Nishtulla, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal, ndaj dhe Prokuroria ka bashkuar dy dosjet në një të vetme.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.