Gjykata Administrative në Durrës ka dhënë vendimin për fatin e projektit “Veliera”. Pas një viti pezull, Gjykata i ka hapur rrugë punimeve në zonë, përveç zonës arkeologjike A.

Treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Ergys Gashi, ka pranuar pjesërisht kërkesë padinë e Shoqërisë Civile e cila kërkonte anullimin e projektit të këtij sheshi dhe vënien para përgjegjësisë autorët që kanë ndërhyrë në zonën arkeologjike.

Gjykata Administrative në vendimin e saj, ka pranuar projektin e ndryshuar të paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe bashkia e Durrësit për të mos u zhvilluar punime në zonën arkeologjike A, aty ku binte më parë një nga këmbët e “Velierës”.

Gjykata Administrative nuk është shprehur për kërkesë-padinë e shoqërisë civile në lidhje me anulimin e projektit, por vendosi që të mos lejojë punime në zonën A, aty ku punimet janë të bllokuara prej një viti.

Menjëherë pas këtij vendimi, kanë reaguar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civilie,  avokate Mirela Jorgo dhe ambientalisti Sazan Guri, të cilët u shprehën se do ta çojnë çështjen në Strasburg për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë kulturore.

Ky vendim nuk është as mish as peshk”, tha avokatja Jorgo, e cila shtoi se “Gjykata nuk e mori parasysht të plotë akta-padinë tonë”.

U deshën më shumë se tre orë që gjykata të jepte vendimin. Ndërsa, Shoqëria Civile e kontestoi fort dhe bëri të ditur që ky vendim do të ankimohet brenda 5 ditëve, shumë qytetarë durrsakë e kanë mirëpritur vendimin për nisjen punimeve në sheshin qendror të Durrësit.