Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për të pezulluar masat e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. 

Deputetët e PD kërkuan rrëzimin e masës “detyrim paraqitje” ndaj Sali Berishës, me pretendimin se vendimi është antikushtetues dhe është marrë pa autorizimin e Kuvendit. 

 Por sipas Gjykatës Kushtetuese nuk legjitimohen deputetët t’i drejtohen për një çështje të tillë, në emër të një individi kësaj gjykate. 

“Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar në nenin 54, pika 3 të ligjit nr. 8577/2000 të ndryshuar, me shumicë votash, vlerësoi se Kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye: neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. 

Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit nga njëra anë dhe SPAK dhe GJKKO nga ana tjetër”, thuhet në njoftim. 

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, demokratët kërkonin të zgjidhnin konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”. 

Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët demokratë kërkuan gjithashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës.