Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kërkonte lirimin nga qelia, ku ndodhet i arrestuar nën akuzë për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian, gjatë kohës kur drejtonte SASPAC.
Beqaj kishte kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të disa vendimeve të gjykatave të posaçme dhe të Gjykatës së Lartë, përfshirë vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si edhe vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të janarit 2025.
Në ankim, ish-ministri kërkonte kthimin e çështjes për rigjykim, duke argumentuar se vendimet që kanë çuar në mbajtjen e tij në paraburgim bien ndesh me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e pranojë kërkesën, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme.
Si pasojë, Ilir Beqaj do të vijojë të qëndrojë në qeli, ndërsa hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj tij vazhdojnë.





