Gjykata Kushtetuese i ka vendosur ultimatum Kuvendit të Shqipërisë për votën e emigrantëve.
GJK ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.
Në vendim thuhet se është konstatuar cenimi i të drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet e fundit të përgjithshme ndërkohë që Kuvendi detyrohet që brenda vitit të plotësojë boshllëkun ligjor.
Vendimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,
VENDOSI:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
- Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
- Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
- Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.