Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore, procesi në Bashkinë e Tiranës është pezulluar.

Sipas tij, procesi zgjedhor do të vijojë normalisht në pesë bashkitë e tjera të vendit, ku zgjedhjet janë dekretuar për datën 9 nëntor. Bëhet fjalë për bashkitë: Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.

“Do të ishim në shkelje të kushtetutës nëse KQZ do të vazhdonte me përgatitjen e zgjedhjeve për Tiranën. Në vlerësimin tim kjo është e qartë, KQZ nuk mund të kryerje asnjë veprim për përgatitjen e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Në këtë moment është kompetencë e GJK për të vendosur mbi ankimin që është bërë nga zoti Veliaj në lidhje me vendimin për shkarkimin e tij”, tha Celibashi.

Ilirjan Celibashi: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kemi këtë komunikim në lidhje se cfarë ndodh me procesin zgjedhor në 6 bashkitë e vendit sipas dekretit të Presidentit.

Në zbatim të vendimit të GJK, KQZ ka ndërprerë dhe pezulluar përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor në bashkinë e Tiranës, dhe vazhdon normalisht procesi në 5 bashkitë e tjera.

Kjo do të thotë që në datën 9 nëntor është e sigurt që do zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera, Vlora, Berat, Tepelena, Cërrik dhe Mat.