Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Emiljano Shullazit për t’u liruar nga regjimi ’41-bis’. Ishte Shullazi, ai që bëri kërkesën me anë të përfaqësuesve të tij ligjor për t’u larguar nga izolimi. Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Shullazit, i cili kërkoi të cilësohej antikushtetues mbyllja e tij në regjimin “41 Bis”. Kushtetuesja ka konstatuar se vendimet e gjykatës bien ndesh me aktin themeltar të shtetit, pra Kushtetutën sepse Emiljano Shullazit i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor.
Prej 1 gushtit anëtarët të bandës së Emiljano Shullazit, por edhe të dënuar të tjerë si: Arbjon Aliko, Arbër Çekaj dhe Genci Balla janë disa prej të dënuarve që janë izoluar në regjimin ‘41-bis’.
Shullazi u dënua me vendim të formës së prerë pas 83 seancash gjyqësore që u zhvilluan në harkun kohor të më shumë se 2 viteve në GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Ai u dënua me 14 vite burg, ndërsa me 12 vite burg u dënua Gilmando Danin, Endrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg. Por Shullazi akuzohet edhe për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në vitin 2005. Megjithatë për këtë ngjarje hetimet ende vazhdojnë.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Shullazi nuk del nga regjimi i burgut të egër “41 biss”, por kjo detyron gjykatat që të shqyrtojnë aktet sekrete mbi bazën e të cilave Ministri i Drejtësisë ka marrë vendim për ta izoluar në “41 biss”, pasi gjykatat refuzonin të shqyrtonin aktet me argumentin se është sekret.





