Sot, në datë 29 tetor, Gjykata Kushetuese pritet të marrë në shqyrtim aktin normativ të qeverisë, të apeluar nga Shoqata e Qiramarrësve të strehuar në shtëpi ish pronarësh. Krerët e shoqatës, por edhe qiramarrës pritet të jenë të pranishëm në seancën gjyqësore, e cila e ka shqyrtuar edhe dy herë më parë vitet e shkuar këtë vendim, duke iu dhënë të drejtë familjeve, që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve.

Këta të fundit në muajin gusht janë njohur me aktin normativ të marsit të këtij viti, ku u kërkohet rreth 3500 familjeve në të gjithë vendin, rreth një mijë prej të cilave në Durrës, të dalin nga shtëpitë në datën 1 nëntor, për t’u kthyer banesat ish pronarëve të vjetër. Që prej muajit shtator krerët e shoqatës i kanë bërë thirrje qiramarrës të mos aplikojnë pranë Bankës Kombëtare Tregtare për të përfituar kredi me interesa zero, duke e konsideruar një shkelje të hapur nga qeveria si dhe diskriminim që u bëhet këtyre familjeve.

Akti normativ i qeverisë i datës 26 mars të këtij viti është apeluar në Gjykatën Kushtetuese, gjykatë e cila në 10 vitet e fundit është shprehur dy herë në favor të familjeve.

Banka

40 është numri I familjeve që jetojnë në shtëpi ish pronarësh që deri tani kanë aplikuar për kredi për shtëpi me interes zero, në rang rrethi. Të dhënat vijnë nga Banka Kombëtare Tregëtare. Specialistët e kësaj banke kanë pohuar për gazetën “Dyrrah”, se dosjet kanë mbërritur nga Enti Kombëtar i Banesave, por shqyrtimi i tyre kërkon kohë dhe nuk është e thënë që të gjithë këta persona që kanë aplikuar do të jenë fitues. “Kriter kryesor janë të ardhurat për çdo familje në bazë të frymëve dhe nga këto familje që kanë aplikuar vetëm një numër shumë i vogël mund të jenë përfitues të kredisë me interes zero. Banka ka kritere strikte për dhënien e kredive afatgjata”,- bëri me dije një prej specialistëve në këtë bankë.

Enti i banesave

Jemi përjekur disa herë që të marrim informacion zyrtar mbi veprimtarinë e kësaj drejtorie në lidhje me politikat e strehimit, me mundësitë për strehim për banorët e pastrehë, për mundësitë e strehimit të familjeve që banojnë në shtëpi ish pronarësh, mbi procedurat, kriteret për ata që aplikojnë për t’u strehuar etj., por e vetmja përgjigje që mund të marrësh në këtë institucion është dera e mbyllur.

Midis një blloku pallatesh pranë lagjes numër 16 është drejtoria rajonale e Entit Kombëtar të Banesave. Pas shumë vajtje ardhjeve dhe trokitjeve në derën e katit të dytë të kësaj godine askush nuk përgjigjet. Në katin e dytë të kësaj drejtorie gjenden zyrat e specialistëve. Të gjitha zyrat janë të mbyllura për publikun. Në to nuk gjendet asnjë prej zyrtarëve të shtetit, të cilët kanë për detyrë të presin e të sqarojnë popullin, të japin minimalisht shpjegime edhe nëse nuk munden dot t’i strehojnë apo t’u zgjidhin problemet.

Ndërkohë kati i dytë i godinës është i braktisur. Një godinë e gjitha bosh. Më e pakta në të mund të strehoheshin 20 familje në nevojë, ndërsa në këtë moment ajo jo vetëm që nuk kryen asnjë shërbim për qytetarët, por as edhe më të voglin funksion. Skandal nuk përbën fakti që zyrat e katit të parë janë të pashfrytëzueshme, pavarësisht se ka shumë njerëz në nevojë për një strehë, por fakti se ashtu si zyrat e këtij kati janë edhe ato të katit të dytë, ku asnjë prej administratës, specialistëve apo drejtoreshës nuk është në punë.

Një institucion që është tërësisht jashtë funksionit. Zyrtarët e saj paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe atyre durrsakë, por ata nuk paraqiten në detyrë. Pikërisht në këtë institucion trokasin për të zgjidhur hallin e tyre mbi 5 mijë familje durrsake të pastreha. Rreth 1000 prej tyre janë edhe më shumë të kërcënuara, sepse në datën 1 nëntor qeveria ka dhënë urdhër që të dalin nga shtëpitë e ish pronarëve.

Kurti: Nuk dalim më 1 nëntor

Myftar Kurti, kreu ishoqatës së qeramarrësve deklaroi se Gjykata Kushtetuese pritet të rrëzohet akti normativ të qeverisë, i cili po shqyrtohet për herë të tretë në këtë gjykatë. “Në 1 nëntor askush nuk do të dalë nga shtëpitë, pasi vendimi kërkon 2 deri në 4 javë që të zbardhet nga Gjykata dhe në këtë mënyrë shtyhet dalja e tyre. Në 1993 ishte qeveria Meksi, e cila nuk i dha zgjidhje këtij problem, që të strehoheshim edhe ne në godinat shtetërore. Neni 9 i ligjit 9235 u miratua sërish nga qeveria Nano dhe pas apelimit të shoqatës u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. E njëjta gjë ndodhi edhe në 2005, nga qeveria Berisha. Tani është miratuar akti normativ, por ky akt bie ndesh me vendimet e mëparshme të kësaj Gjykate”,- tha Kurti.