Gjykata Kushtetuese ka pranuar sot kërkesën e bërë nga një grup i deputetëve të Partisë Demokratike dhe ka rrëzuar Bordin e Transparencës për Çmimet.

GJK arsyeton se vendimi është marrë për shkak se aktet normative nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.

Kujtojmë se kërkesa është firmosur nga 29 deputetë, së bashku me ish-deputeten Grida Duma.

Njoftimi i Kushtetueses:

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Republikën e Shqipërisë. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” dhe nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”” nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.