Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka folur për mediat jashtë ambienteve të GJKKO, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tyre për zëvendësmin e masës së sigurisë për kreun e Partisë së Lirisë.

Sipas Cakranit, Meta nuk mund të mbahet në paraburgim, ndërkohë që çështja e tij zvarritet nga prokuroria ose gjykata.

Cakrani theksoi se Meta nuk mund të lërë dot garanci pasurore për të dalë nga qelia sepse, sipas tij “Meta nuk disponon pasuri”.

Ai shtoi se ka qenë vetë i gatshëm që të ofrojë nga pronat e tij në mënyrë që të përmbushet ky kriter.

Cakrani nënvizoi se Meta do të dalë nga paraburgimi sepse është i pafajshëm.

Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata. Besoj te gjykata, menduam që do nisej viti mbarë duke dhënë një të drejtë ligjore te vijonte gjykimi në gjendje të lirë.

Meta nuk i beson këto zëvendësimet. Nuk kishte asnjë bazë ligjore se përse duhej rrëzuar kërkesa. Kemi bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të burgjeve. Jemi në betejë dhe këtë betejë do e fitojmë“-u shpreh avokati.