TIRANË- Gjykata e Apelit lë në burg aksionerin e Klubit të Futbollit “Partizani”, Paro Laçi. Në fillim të muajit dhjetor Laçi u arrestua për llogari të drejtësisë italiane, me pretendimin se rezulton në listën e personave të kërkuar në Itali për trafik droge. 

Rreth një vit më parë, Paro Laçi u lirua nga akuzat për korrupsion, pasi qëndroi nëntë muaj në qelitë e paraburgimit. Paro Laçi dyshohej se në bashkëpunim disa persona të tjerë kanë tentuar të ndikojnë tek gjykatësit e Apelit në Shkodër, për lirimin nga burgu të të dënuarit Altin Vigani (Prekndreaj) i dënuar me 25 vite burg për vrasje.

Sipas prokurorisë të pandehurit Dhurata Kume, Bledar Kume, Agron Arusha dhe Edmond Temali kishin premtuar një përfitim të parregullt në shumën prej 125 mijë euro, me qëllim që të ndikonin tek gjykatësit e Apelit Shkodër, për të shpallur të pafajshëm të dënuarin Artur Vigani.