Tiranë, 7 shtator 2014 –  Gjykata ka dhënë masën e dënimit “arrest me burg” për ish Guvernatorin e BSH, Ardian Fullani dhe inspektoren e përgjithshme Elivar Golemi.

Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi vendimin në mungesë të marrë më parë për këta dy zyrtarë.

Avokati mbrojtës i Fullanit, Maksim Haxhiaj, në një deklaratë për mediat bëri me dije se do të kundërshtojnë vendimin e gjykatës dhe do të apelojnë.

Sipas tij, nuk duhej të ishte marrë masa e sigurisë në mungesë, duke qenë se Fullani është një person i njohur dhe me adresë të përcaktuar.

“Masat ekstreme zbatohen në kushte ekstreme. Nuk është person me rrezikshmëri të lartë dhe akuza “shpërdorim detyre” dënohet me maksimumi deri në 7 vjet burg. Nuk e pranojmë akuzën. Të hënën do të apelojmë çështjen”, ka thënë avokati Maksim Haxhiaj. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/