FIER – Gjykata e Fierit ka vendosur masën e arrestit me burg për “Nikitën”, të renë 27 vjeçare që akuzohet se grabiste qytetarët me një armë lodër. Përmes avokatit të saj Erjon Hamataj 27-vjeçarja nuk e ka pranuar akuzën duke pohuar versionin e prindërve, që kjo situatë është krijuar për t’i bërë shantazh familjes së saj.
Ndërkohë prokuroria, e përfaqësuar nga Manjola Kajana duke u bazuar në provat materiale dhe në një dëshmi ka kërkuar “arrest me burg” për 27-vjeçaren.
Policia arrestoi disa ditë më parë Enkeleda Merkajn, pasi ndaj saj ishin regjistruar disa denoncime për vjedhjen që ajo u bënte qytetarëve nën kërcënimin e një arme lodër.
Enkeleda Merkaj, e divorcuar prej dy vjetësh ka një vajzë 4 vjeçare. Familjarët e saj kanë deklaruar se gjendja ekonomike e familjes ishte shumë e mirë, arsye kjo që nuk kishte pse ta shtynte të renë të kryente veprime të tilla.





