5 dhjetor 2015 – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për prokurorin Haxhi Giu, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. E njëjta masë është dhënë edhe për Aleks Shporrin, personi që do t’i jepte 29 mijë eurot prokurorit.
Në bazë të hetimit të deritanishëm nga organi i akuzës, rezulton se prokurori Haxhi Giu ka marrë përsipër që në këmbim të një shume parash (euro), të zbusë akuzën për shtetasin Paulin Shpori, i arrestuar dhe i akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë. Vëllai i të akuzuarit, shtetasi Aleks Shpori, në muajin shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu dhe i kërkon që, në këmbim të një shume parash, të ndihmonte Paulinin të dilte nga burgu.
Nga hetimi rezulton se prokurori Haxhi Giu ia ka bërë të qartë shtetasit Aleks Shpori se pozita procedurale e të vëllait të tij është e vështirë dhe nuk mund ta ndihmojë. Pas këmbënguljes së shtetasit Aleks, prokurori i cakton një takim në Tiranë, dhe së bashku shkojnë në një pikë këmbimi valutor. Sipas hetimit, në këtë pikë këmbimi valutor, shtetasi Aleks depoziton një shumë parash prej 29 mijë eurosh, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori.
/portali DurresLajm/