Ish-biznesmeni italian i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge që u arrestua në Rinas, ka dalë sot para gjykatës. 49-vjeçari Enrico Gazzo u arrestua më 6 gusht, pasi kërkohet nga drejtësia në Peru.
Ai rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Lartë e Perusë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për italianin, ndërkohw që vetë 49-vjeçari deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri për biznes. Ai zotëron në Carrara të Italisë një kompani që merret me përpunimin e qelqit.
Ai dyshohet se është i përfshirë në trafikimin e një sasie prej 1 ton kokainë që kap një vlerë prej 350 milionë euro. Droga u sekuestrua në Peru në vitin 2008.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e Gazzo në Peru.
Në nëntor të vitit 2011, Enrico Gazzo u arrestua në Bjellorusi pas një urdhër arresti sërish të lëshuar nga një gjykatë peruane, por ai arriti t’i shpëtonte ekstradimit pas shkeljeve të afateve procedurale.
Më herët ai ishte arrestuar në mars të vitit 2010 si i dyshuar për trafik kokaine nga Amerika e Jugut përmes Spanjës.
Nga hetimet e autoriteteve italiane rezultoi se në rrjetin e trafikimit ishte përfshirë dhe ish-kreu i bashkisë së Lacios, Piero Marrazzo. Kokaina ishte përzier me argjilë dhe kishte si destinacion Italinë. pasi ishte porositur nga Gazzo.





