Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të akuzuarit për vjedhjen e zyrave të Prokurorisë së Durrësit.

Organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurorët Drini Pali dhe Artur Decolli, thanë në sallën e gjyqit se autorët kanë lënë gjurmë gishtërinjsh në ambientet e brendshme të institucionit gjatë vjedhjes.

Gjurmët e gishtërinjve janë gjetur edhe mbi serverin qendror dhe atë të kamerave të sigurisë. Megjithatë, të pandehurit kanë deklaruar se nuk njihen me njëri-tjetrin duke mohuar vjedhjen.

“Rezulton se në orën 6:30 të mëngjesit të 24 majit, janë dëmtuar kamerat e sigurisë, ka ndërhyrje në sistemin kompjuterik, është hapur dera e server të IT-së. Janë gjetur 13 gjurmë kapilare. Gjurmët e gishtërinjve i përkasin Artur Isas dhe Besnik Bushit”.

Prokurorët thanë se janë kryer veprime të dhunshme në tre zyra, dhe po ashtu janë konstatuar zhdukje të fashikujve hetimore. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin, Prokuroria kërkoi të konsiderohet i ligjshëm arrestimi dhe hetimi arrest me burg.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi t’i lërë në burg dy autorët e dyshuar Besnik Bushi 54 vjeç dhe Artur Isa 49 vjeç, si dhe rojën private Nias Lena 56 vjeç.