Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar të martën urdhër-arrestin ndaj deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrimin me subvencione, që kapin shumën mbi 25 mijë euro.
Urdhri është lëshuar me qëllim për ta dërguar atë në burg. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se i dënuari E. A e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin i është refuzuar ankesa si e pabazuar dhe është bërë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.I dënuari E.A është dashur që pas pranimit të vendimit të lajmërohet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që i njëjti nuk është lajmëruar, Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e të njëjtit në vuajtje të dënimit me burg”, tha Gashi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, kanë përvetësuar rreth 26 mijë euro.
Etem Arifin,është deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia e Ashkalive për Integrim./REL





