AFRIKE E JUGUT, 22 shkurt 2013 – Kampioni afrikano-jugor, Oscar Pistorius është liruar me kusht nga gjykata në Afrikën e Jugut, kundrejt garancisë pasurore prej 1 milion rand afrikanojugor, ose rreth 85 mijë euro.

Gjykatësi Desmond Nair deklaroi se nuk ka rrezik që i dyshuar, i cili akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij modeles Reeva Steenkamp, të largohet. Gjithsesi ai duhet të paraqitet çdo ditë në komisariat deri në 4 qershor kur nis gjyqi ndaj tij, duhet të dorëzojë të gjitha pasaportat dhe armët që ka në shtëpi.

Avokati mbrojtës i të pandehurit vazhdon t’i mëshojë tezës së atleti nuk e kishte planifikuar vrasjen e së fejuarës edhe pse më parë kishin debatuar. Vrasja sipas tij ka ndodhur sepse ai e kishte ngatërruar atë me një hajdut.

“Gjithçka çfarë dimë, është se Reeva Steenkamp u vra në banjë, teksa dera ishte e mbyllur, ai mendoi se kishte hyrë një hajdut”,- deklaroi avokati mbrojtës i Pistorius.

Avokati Barry Roux theksoi edhe faktin se autopsia në trupin e Reeva Steenkamp nuk ka treguar asnjë shenjë dhune apo agresioni fizik, sikundër as plagë që mund të jenë shkaktuar gjatë një përleshje me vrasësin e saj.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/