KAVAJE, 12 mars 2013 – Gjykata e Kavajës liroi sot në sallën e gjyqit kryetarin e Bashkisë, Elvis Rroshi. Sipas gjyqtarit Osman Aliu, ndalimi i Rroshit në kushtet e flagrancës, pak orë pas ndeshjes së futbollit Besa-Tirana, ishte i paligjshëm. Gjatë seancës avokati mbrojtës i Elvis Rroshit, Plarent Ndreca ka kërkuar lirimin e këtij të fundit, pasi arrestimi i tij ishte i kundërligjshëm.
Prokurori i çështjes kërkoi detyrim paraqitje për kryetarin e bashkisë së Kavajës, ndërkohë që në seancën gjyqësore nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i ekipit te Tiranës.
Ndërkohë gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore ndaj Rroshit, qytetarë të shumtë të Kavajës protestuan para gjykatës, për lirimin e kryebashkiakut të tyre. Pas marrjes vesh të lajmit të lirimit të tij turma nisi festën në shesh. Seanca gjyqësore ndaj Rroshit është zhvilluar nën masa të forta sigurie. Forca të shumta RENEA të mbështetur nga policia e Kavajës dhe homologët e tyre nga Durrësi rrethonin gjykatën e Kavajës.
Deklarata e Elvis Rroshit pas lirimit
Në radhë të parë i kërkoj ndjesë gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që u shqetësuan nga kjo ngjarje e zmadhuar qëllimisht, ku unë u vendosa në qendër të vëmendjes publike pa dëshirën time. Së dyti i kërkoj ndjesë gjithë qytetarëve të Kavajës për përgojimin e jashtëzakonshëm të emrit tim si i zgjedhuri me votën e tyre. Unë nuk kam ushtruar asnjë lloj dhune mbi trajnerin e Tiranës, për të cilin kam pasur dhe do kem respekt si ish-futbollist i shkëlqyer i kombëtares dhe si përfaqësues i një skuadre mike në Kavajë. Kam zbritur poshtë për të qetësuar gjakrat e ndezur nga një gjest i nxituar i trajnerit të Tiranës dhe nuk kam pasur asgjë arsye tjetër. Por megjithatë nuk ndjehem mirë që i dhashë një sebep sado të vogël atyre që nuk i zë gjumi që në 8 maj 2011 nga dëshira për të më bërë keq. Konkretisht Sali Berishës, i cili përmes Flamur Nokës dhe Agron Kuliçajt ka organizuar forca të tëra survejimi e provokimi ndaj meje. Është e qartë që Sali Berisha nuk e gëlltit dot faktin që Kavaja e përzuri me votë në 8 maj pas 20 vjet premtimesh të pambajtura. Ai kërkon të hakmerret me çdo kusht me Kavajën, por në fakt ai me Kavajën nuk lahet gjithë jetën. Ka marrë votat 20 vjet dhe nuk ka lënë gënjeshtër pa thënë për 20 vjet me radhë. Deri edhe sjelljen e detit në Kavajë ka premtuar. Ndërsa une i premtoj se në 23 qershor Kavaja do t'ia fusë në hesapin e ndëshkimit me votë edhe këtë burgosje kriminale time për qëllimin e tij vetëm e vetëm politik. Në 23 qershor Sali Berisha do ta mësojë përfundimisht se Kavaja nuk harron asgjë dhe nga Kavaja ai dhe PD-ja nuk kanë çfare marrin më përveç ndëshkimit të merituar për 20 vjet tallje e poshtërime.
Arrestimi i Elvis Rroshit
Pas 48 orësh në drejtorinë e Policisë së Tiranës, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi nën masa të rrepta sigurie ka lënë mesditën e sotme ambientet e policisë së Tiranës dhe është nisur drejt Kavajës për të qenë i pranishëm në seancën e gjyqit ndaj tij.
Rroshi ndodhej në Tiranë që nga mbrëmja e së dielës, kur u konfliktua me trajnerin e Tiranës, Nevil Dede dhe u akuzua prej këtij të fundit se e goditi në korridoret e stadiumit të Kavajës. Në një dalje të tij sot para mediave, trajneri i ekipit të futbollit të Tiranës, Nevil Dede u shpreh se i vinte keq që incidenti me kryebashkiakun e Kavajës mori ngjyra politike. Dede tha se ai denoncoi rastin, me qëllim që mos të përsëriteshin incidente të tilla në stadiume.
Kryebashkiaku i Kavajës është shoqëruar me 3 automjete policie, gjatë rikthimit për në qytetin e tij. Elvis Rroshi akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe kundërshtim e mosbindje ndaj forcave të rendit.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





