Pronari i televizionit “Agon Channel”, njëherësh presidenti i ekipit anglez të futbollit Leiton Orient, Françesko Beketi, nuk do të ekstradohet në Shqipëri.

Lajmi bëhet me dije nga gazeta “Eurosport”, që raporton se vendimi është marrë nga Gjykata e Londrës, e cila shqyrtoi çështjen ndaj tij dhe kërkesën e palës shqiptare për ekstradim nga Britania.

Nga ana e saj, pala shqiptare deklaroi se do ta apelojë vendimin brenda 14 ditësh.

Beketi akuzohet për skemën mashtruese “KGE”, me vlerë 38 milionë euro dhe evazion fiskal në masën e 5 milionë eurove. Ai akuzohet për veprat penale falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim, krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Prokurorët kanë ngritur akuzë për shtatë persona, mes të cilëve edhe vetë Beketi, ndaj të cilit gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë”. Biznesmeni italian pretendon se sulmet ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht nga kryeministri Edi Rama.