Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka nisur një hetim ndaj qeverisë së kryeministres së Italisë, Giorgia Melonit. Hetimi ka të bëjë me arrestimin dhe ekstradimin e kreut të policisë gjyqësore libiane, Nisem Ozama Elmasri Habis. Në veçanti, qëllimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë është “të konstatojnë nëse qeveria e Romës pengoi zbatimin e drejtësisë, siç përcaktohet në nenin 70 të Statutit të Romës”, shkruan gazeta Avvenire, e cila botohet nga Konferenca Italiane e Ipeshkvijve Katolikë.

Personi që u shkroi gjykatësve ndërkombëtarë dhe inicioi nisjen e hetimit përmes avokatëve të tij ishte një refugjat sudanez, i cili u kishte thënë tashmë hetuesve ndërkombëtarë në vitin 2019 për torturat që ai dhe gruaja e tij kishin vuajtur në Libi nga Elmasri. Ata ishin kapur në det nga e ashtuquajtura roje bregdetare libiane dhe më pas ishin burgosur në Libi në rrjetin e qendrave të paraburgimit të kontrolluara nga gjenerali Almasri.

Në vitin 2019, burri kishte paraqitur një komunikim në Zyrën e Prokurorit duke ofruar “një grup të gjerë provash” për të cilat ai tha se implikonin zyrtarë të lartë të BE-së dhe italianëve, përfshirë ish-kryeministra dhe ministra italianë, në lehtësimin e kryerjes së krimeve të të drejtave të njeriut në Libi. Dëshmia e tij është ndër ato që përmban aktakuza bashkëngjitur urdhrit të arrestit për zyrtarin libian të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër të drejtave të njeriut.

Komunikimi ligjor i mbledhur nga Prokuroria përbëhet nga 23 faqe në të cilat rindërtohet çështja Almasri deri në kthimin e tij në Libi. Nënshkrimi është nga “Front-Lex”, një organizatë ndërkombëtare e avokatëve të të drejtave të njeriut që janë në vijën e parë të frontit para gjykatave të BE-së, OKB-së dhe Hagës. 

Refugjati sudanez ndihmohet në Paris nga dy avokatë të përfshirë në disa gjyqe përpara juridiksioneve ndërkombëtare: Juan Branco dhe Omer Shatz .

Megjithatë, në 23 faqet e depozituara në Hagë, të cilat “Avvenire” mundi t’i shikonte dhe të cilat shoqërohen me bashkëngjitje të shumta, disa detaje janë të pasakta, siç është treguesi i qëndrimit të gjeneralit libian “në Itali për 12 ditë ” .

Në realitet, Almasri kishte qenë më parë në vende të tjera të BE-së dhe qëndroi në Itali nga data 18 deri më 22 janar, kur më pas u lirua me urdhër të Gjykatës së Apelit në Romë dhe u kthye në Tripoli me një fluturim të shërbimit sekret italian.

Procedura e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila merr qindra raporte dhe ankesa, nuk është e ngjashme me atë të sistemit procedurial italian dhe koha e nevojshme për hetimin apo arkivimin e çështjeve në përgjithësi nuk është e shkurtër. 

Sipas aktakuzës, në të cilën Meloni, Nordio dhe Piantedosi tregohen si “të dyshuar”, përfaqësuesit e qeverisë italiane nuk arritën ta dorëzonin Gjeneralin Almasri në Gjykatën Penale Ndërkombëtare: “Abuzuan pushtetin e tyre ekzekutiv për të mos iu bindur detyrimeve të tyre ndërkombëtare dhe kombëtare”.