Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për pezullimin e kreut të IMT, Rigers Sheqeri, ka reaguar Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, duke deklaruar se nuk është kryer asnjë shkelje nga ana e tij në lidhje me verifikimet për rastin e caktuar.

Në reagimin zyrtar, IMT deklaron se nga gjithë procedura e kryer nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë lidhur me procedurën inspektuese administrative ndaj shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k., lidhur me punime ndërtimore të kryera në një kantier në zonën e Saukut, Njësia Administrative Farkë, Tiranë, është konstatuar ligjshmëria e plotë e ndërhyrjes ndërtimore.

Më tej sqarohet se nga përmbajtja e akt-marrëveshjes dhe lejes përkatëse rezulton se punimet konsistojnë në ndërtimin e një muri mbrojtës ndaj zhurmave, në funksion të mbrojtjes së zonave rezidenciale përreth.

Pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit, IMT ka konstatuar se dokumentacioni është i rregullt në formë dhe përmbajtje, ekziston bazë e plotë ligjore për kryerjen e punimeve, ndërhyrja është realizuar në përputhje me lejen e ndërtimit, dhe se  punimet janë në funksion të një projekti të miratuar me interes publik.

Reagimi i IMT, Bashkia Tiranë:

Lidhur me procedurën inspektuese ndaj shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k.

Nga tërësia e akteve provuese të paraqitura përpara Gjykatës rezulton se, në kuadër të ushtrimit të funksioneve ligjore, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë ka zhvilluar një procedurë inspektuese administrative ndaj shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k., lidhur me punime ndërtimore të kryera në një kantier në zonën e Saukut, Njësia Administrative Farkë, Tiranë.

Gjatë kontrollit në terren, trupa inspektuese konstatoi se në kantier po zhvilloheshin punime ndërtimore, për të cilat, në momentin e verifikimit fillestar, nuk u paraqit menjëherë dokumentacioni i plotë tekniko-ligjor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, u mbajt Procesverbali i Konstatimit të Kundërvajtjes nr. 8331, datë 29.12.2025, ku u evidentua si kundërvajtje administrative mungesa e dokumentacionit përkatës në momentin e kontrollit.

Në zbatim të procedurës ligjore, subjektit iu la një afat 10-ditor për paraqitjen e dokumentacionit justifikues. Brenda këtij afati, me shkresën nr. 52, datë 06.01.2026, shoqëria “EUROCOL” sh.p.k. depozitoi dokumentacionin përkatës, nga i cili rezulton:

• Kontrata e shitjes së pasurisë së paluajtshme nr. 260 Rep., nr. 263 Kol., datë 10.03.2020, që provon titullin e pronësisë mbi sipërfaqen 3332 m²;
• Certifikata e pronësisë për pasurinë nr. 86/29, zona kadastrale 3266, së bashku me kartelën dhe hartën përkatëse;
• Ekstrakti i shoqërisë nga Qendra Kombëtare e Biznesit, që vërteton statusin juridik të subjektit;
• Akt-Marrëveshja nr. 2153/1 Prot., datë 27.05.2025, e lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit pranë Bashkisë Tiranë, në zbatim të një leje ndërtimi të miratuar nga Bashkia Tiranë.

Nga përmbajtja e kësaj akt-marrëveshjeje dhe lejes përkatëse rezulton se punimet konsistojnë në ndërtimin e një muri mbrojtës ndaj zhurmave, të shkaktuara nga qarkullimi në Unazën e Madhe, në funksion të mbrojtjes së zonave rezidenciale përreth, përfshirë rezidencën “PARK LIFE”.

Gjithashtu, dokumentacioni përfshin projektin përkatës teknik, planvendosjen dhe ortofotot, si dhe shkresën për koordinim institucional me autoritetet përkatëse.

Një element thelbësor është se, sipas akt-marrëveshjes:
vepra ndërtimore, pas përfundimit, kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë, çka i jep ndërhyrjes karakter publik dhe jo privat.
Pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit, IMT ka konstatuar se:
• dokumentacioni është i rregullt në formë dhe përmbajtje;
• ekziston bazë e plotë ligjore për kryerjen e punimeve;
• ndërhyrja është realizuar në përputhje me lejen e ndërtimit;
• punimet janë në funksion të një projekti të miratuar me interes publik.

Për rrjedhojë, është arritur në përfundimin se:
ndërhyrja nuk përbën ndërtim të paligjshëm, por realizim të një ndërtimi me leje, në përputhje me kuadrin ligjor dhe institucional në fuqi.

Si pasojë, Procesverbali i Konstatimit të Kundërvajtjes nr. 8331, datë 29.12.2025, është konsideruar i tejkaluar në thelb, pasi mungesa fillestare e dokumentacionit ishte një situatë e përkohshme dhe u korrigjua brenda afatit ligjor.

Procedura administrative është mbyllur pa masë ndëshkimore, në përputhje me parimet e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit.
Në përfundim, rezulton se:
• mungesa fillestare e dokumentacionit ishte thjesht procedurale dhe e përkohshme;
• subjekti ka përmbushur detyrimet ligjore në afat;
• punimet janë kryer mbi bazën e një leje ndërtimi të vlefshme;
• objekti është një vepër infrastrukturore me karakter publik;
• dhe, pas përfundimit, ajo kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Këto rrethana provojnë qartë ligjshmërinë e plotë të ndërhyrjes ndërtimore.