Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar, ndërsa më 12 mars do të lexohet pretenca.

Këtë të hënë, nisi në orën 10:00 në Gjykatën për Krime të Rënda, seanca e parë e gjykimit ndaj Klement Balilit, i cilësuari si “Eskobari i Ballkanit”.

Gjykimi i shkurtuar i jep të drejtën Balilit të përfitojë ulje të dënimit, në rast të shpalljes fajtor.

Gjatë seancës së sotme, Prokuroria lexoi kërkesën për gjykim, ku i ngarkon të pandehurit, rastin e trafikut të rreth 675 kg kanabis, ndërsa provat kryesore të akuzës janë hetimet e autoriteteve greke.

Mbi të rëndojnë akuzat për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Pas pothuajse tre vitesh arrati, Klement Balili u vetëdorëzua me 15 janar dhe kjo ngjarje bëri bujë jo vetëm në mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare. Vetëdorëzimi erdhi pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të bashkisë Delvinë, Rigels Balili.