Gjykata e Durrësit rrezoi kërkesën e bashkisë për të rinisur punimet për projektin “Veliera”, investim i cili ka mbetur peng prej 16 shkurtit të këtij viti.
Bashkia nëpërmjet një shkrese zyrtare kerkoi pezullimin e vendimit të muajit shkurt dhe heqjen e sekuestros preventive nga zona A, ndërsa paraqiti një projekt të ri në gjykatë, projekt i cili nuk u mbrojt dot nga përfaqësuesit e Bashkisë.
Gjykatësi Petraq Curri, pasi dëgjoi palët, tha se kërkesa nuk pranohet për aq kohë sa ai nuk është i bindur se nuk ka dëme në pasurinë arkeologjike të zbuluar.
Gjykatesi debatoi me prokuroren, të cilës i kërkoi që të paraqiste procesverbalet e shkallës së dëmtimeve të zbulimeve arkeologjike. Prokuroria solli një pjesë të tyre por nuk e bindën gjykatësin i cili tha se çështja është e ndjeshme, me karakter mbrojtjen e trashëgimisë dhe historisë dhe nuk pranoi kërkesën e Bashkisë për vijimin e punimeve.
Gjykatësi i kërkoi prokurorisë që të sjellë fakte madje edhe njerëz në gjykatë nëse ka abuzim me pasurinë arkeologjike për tu përballur me ligjin.
Përfaqësuesit e Shoqerisë Civile thonë se një pjesë e këmbës se projektit “Veliera” bie në zonën arkeologjike A ku kanë dalë rrënojat e shek të 17-të.
Vendimi i gjykatës së Durrësit konsiderohet një fitore për Shoqërine Civile, të cilët e ndjekin ceshtjen prej muajit shkurt. Një gjyq tjetër zhvillohet në gjykatën administrative për këtë çështje.





