DURRES– Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me kërkesë të Njësisë Task-Force të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka vendosur sekuestro preventive për pasuri të llojeve të ndryshme, të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milionë euro, të dyshuara se janë krijuar nga aktivitetet e paligjshme të shtetasit Kreshnik Bodlla  dhe përdoren nga dy persona familjarë të tij, Reshit F. dhe Roland F.

Njësia Task-Force e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi të kryer rreth një vepre penale të “Mashtrimit”, ka arritur në përfundim se  Reshit dhe Roland F. kanë blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kanë një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë, të cilat dyshohet se janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit Budlla. Këto pasuri tashmë janë nën sekuestro preventive, me vendim të gjykatës.

Në bazë të të dhënave hetimore, ekzistojnë  prova dhe fakte se shtetasi Kreshnik F. (i cili aktualisht mban mbiemrin Bodlla) është përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike, për të cilat edhe është dënuar në Itali, në vitin 2007, me 5 vite burgim. Nga ky aktivitet shtetasi Bodlla ka siguruar produkte të veprave penale, ndërkohë familjarët e tij zotërojnë pasuri dhe të ardhura, të cilat kanë një diferencë të dukshme me nivelin e të të ardhurave dhe fitimeve nga veprimtaritë e tyre të ligjshme.

Nisur nga fakti se të ardhurat e ligjshme të këtyre shtetasve nuk mbulojnë shpenzimet e kryera, mbështetur në provat e hetimit të kryer në funksion të kësaj çështje, rezulton plotësisht e provuar se nga ana e shtetasve Reshit  F. dhe Roland F. janë kryer veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mashtrim”.