TIRANE, 20 shkurt 2013 – Gjykata e Krimeve të Rënda, në vendimin e saj, përcakton si fajtor për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, Ilir Kumbaron. Sipas pesëshes së trupit gjykues të kryesuar nga Gurali Brahimllari, ish oficeri i SHIK-ut Kumbaro është përgjegjësi i vetëm për krimin e rëndë ndaj biznesmenit Remzi Hoxha që u zhduk 18 vite më parë. Kumbaro është ende në arrati, megjithëse rreth 2 vite më parë policia britanike e ndaloi, pasi zbuloi se ai jetonte në Angli nën identitetin e rremë, Shaqa Shatri.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Remzi Hoxha u mor peng nga punonjësit e SHIK-ut, për shkak se dyshonin se ai ishte pjesëtar i agjenturave të huaja. Dëshmitari Anibal Basha ka rrëfyer se në shënimet që kishte mbajtur Kumbaro për Hoxhën e kishte cilësuar këtë të fundit “zbulues të serbëve”.
Ndërkohë dy të akuzuarit e tjerë për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi arritën t’i shpëtonin burgut, jo sepse ishin të pafajshëm, por për shkak se akuzat që u rëndonin mbi supe ishin amnistuar.
Biznesmeni Hoxha u mor me forcë më 21.10.1995, rreth orës 13:30, në mjediset e firmës “Albatros”, në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë, nga agjentë të SHIK-ut. Për ngjarjen, punonjësit e firmës “Albatros” kanë njoftuar menjëherë familjarët e të dëmtuarit Remzi, bashkëshorten dhe vëllezërit, të cilët kanë bërë përpjekje maksimale për ta gjetur e kontaktuar fizikisht të afërmin e tyre, Remzi Hoxha. Por fatkeqësisht ata nuk do të kishin mundësi ta shihnin më të gjallë të afërmin e tyre, që humbi jetën për shkak të torturave të ushtruara ndaj tij nga agjentët e SHIK-ut.





