Gjykata e Posaçme është duke shqyrtuar akt ekspertizën ushtarake në dosjen Gërdeci, për të cilën po gjykohet ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për dyshimet se ka “shpërdoruar detyrën”.

Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, u legjitimuan dy ekspertët dhe në 27 dhjetor, SPAK dhe avokatët e ish-ministrit do t’u dorëzojnë atyre pyetjet mbi rezultatet e këtij akt ekspertimi që ka në thelb kalibrat e armëve që demontoheshin në Gërdec.

Për Mediun, shqyrtimi i kësaj prove është absurd, për sa kohë flitet për përgjegjësi ushtarake dhe jo civile dhe nuk kanë lidhje me detyrën e një ministri.

“Është e papranueshme që ministri të gjykohet se çfarë janë kalibrat, apo elementë të tjerë që nuk kanë të bëjnë aspak me detyrën e tij si funksionar politik apo si civil dhe kur dihet shumë mirë se këto çështje të hetimit janë të karakterit ushtarak. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë të ndara përgjegjësitë civile dhe ushtarake”, – tha Mediu.

SPAK thotë se Mediu shpërdoroi detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjell avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin.  Vetë ish-ministri i ka mohuar të gjitha akuzat.