DURRËS, 21 qershor 2015 – Gjykata Administrative e Apelit cenon sigurinë kombëtare, duke mos lejuar kontrollin e shtetit shqiptar në territorin e vet, në Terminalin Lindor të portit të Durrësit, që një koncesionar gjerman e konsideron territor të vet, teksa e ka vënë si kolateral për të marrë kredi (shih poshtë faksimilen).
Më 11 maj 2015, Gjykata Administrative e Apelitvendosi marrjen e masës së sigurimit të padisë së bërë nga EMS APO, koncesionari gjerman i Terminalit Lindor, kompani në pronësi të Heiko Luikenga, i burgosur në vitin 1992 nga gjykata amerikane për trafik armësh dhe konsiparcion kundër SHBA (shih poshtë faksmilen), kundër drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës. Gjyqtaret, A. N. dhe R. S, vendosën, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes nga gjykata, mes të tjerave, të pezullojnë
“çdo veprim të shërbimit të sigurisë së portit të Durrësit në funksion e për zbatim të urdhrit nr. 1212 prot dt. 10.04.2015 të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës ose të çdo urdhri tjetër të kësaj natyre që mund të nxjerrë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës apo çdo organ tjetër i Autoritetit Portual Durrës”.
KUNDËRVËNIE DEKRETIT TË PRESIDENTIT NISHANI
Pa folur për kulturën e ulët gjuhësore, nuk dihet nëse me këtë vendim dy gjyqtaret kanë shfaqur qëndrim të pakujdesshëm në detyrë, kanë padituri të skajshme në legjislacionin shqiptar, apo kanë pasur arsye të tjera (sqarimi dhe verifikimi i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës). A. N. dhe R. S. u bëhet me dije se kanë dëmtuar rëndë sigurinë kombëtare, kanë shkelur me të dy këmbët ligjin nr. 168/2013 “Për sigurinë në anije dhe në porte” [i përafruar pjesërisht me direktivën 2005/65/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 26 tetor 2005 “Mbi përmirësimin e sigurisë në port”, Numri CELEX: 32005L0065, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 310, datë 25.11.2005, faqe 28– 39, e ndryshuar] dhe i shpallur me dekretin nr. 8391, datë 14.11.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Po citojmë pikën 8 të nenit 3: “Forcë e sigurisë portuale (më poshtë FSP)” është organi i ngarkuar për krijimin dhe mbajtjen e një mjedisi të sigurt për infrastrukturën dhe shërbimet në portin detar, si dhe operatorët e ndryshëm që veprojnë në këtë port”; kreun IV, për sigurinë në port, neni 22 mbi detyrat e operatorëve të terminalit portual: “1. Operatori i terminalit portual është i detyruar të veprojë në atë nivel sigurie siç është përcaktuar nga Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, të zbatojë masat e procedurat, në përputhje me nivelin e sigurisë së terminalit portual, dhe të caktojë oficerë sigurie për atë terminal”; nenin 34 mbi strukturat e forcës së sigurisë së portit: “Drejtuesi i portit ngarkohet për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e FSP-së, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij”. Po ashtu, territori ku shtrihet Terminali Lindor, është territor shtetëror i Republikës së Shqipërisë.
KUNDËRVËNIE SHBA-SË
Dhe kjo ngarje ndodhte 17 ditë pasi Ambasada amerikane në Tiranë, më 20-24 prill 2015, drejtonte seminarin me tematikë shtimin e sigurisë në portet e Shqipërisë nëpërmjet luftës kundër armëve të shkatërrimit në masë dhe akteve terroriste. Seminari është pjesë e programit ndërkombëtar kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë (ASHM) i Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe që realizohet nga DTRA (Defense Threat Reduction Agency – Agjencia për Mbrojtjen dhe Reduktimin e Kërcënimeve [nga armët]) dhe realizohet nga ICITAP-i (International Criminal Investigative Training Assistance Program – Programi Investigativ Penal Ndërkombëtar i Ndihmës dhe Trajnimit i Departamentit amerikan të Drejtësisë). Objektivi parësor i këtij kursi ishte njohja e personelit të Rojës Bregdetare, Antikontrabandës Detare, Doganave, Policisë Kufitare e Migracionit, Forcës të Sigurisë portuale rreth mundësive për transportimin e armëve të shkatërrimit në masë (ASHM) përmes porteve ndërkombëtare si dhe metodave që përdoren nga institucionet ligjzbatuese për parandalimin dhe bllokimin e këtyre armëve.
Info 1 / Probleme me drejtësinë amerikane
Heiko Luikenga është pronari i firmës koncesionare “EMS Shipping&Trading GMBH” dhe ka pasur problem me drejtësinë amerikane për trafik ndërkombëtar armësh. Në vitin 1992, bashkë me 9 të pandehur të tjerë (shtetas gjermanë, polakë dhe amerikanë) akuzoheshin për 9 vepra penale nga gjykata amerikane e distriktit të Nju Jorkut. Ndër akuzat që u bëheshin z. Luikenga dhe të pandehurve të tjerë ishte konspiracioni për t’i shitur armë kontrabandë me vlerë 96 milionë dollarë regjimit të Sadam Huseinit. Në grupin e të pandehurve bënin pjesë figura të larta të ish-regjimit komunist të gjeneralit polak Jaruzelski: përkatësisht dy-ish zëvendësministra; një gjeneralmajor, ish-zëvendës shef shtabi i Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Polonisë etj. Ky episod kontrabande armësh është i përfshirë edhe në librin “Russian Organized Crime New Threat” të autorit Phil Williams (shih faksimilen). Qoftë gjatë seancave gjyqësore, qoftë në artikuj të ndryshëm të botuar në mediet amerikane theksohet fakti se gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar z. Luikenga kishte transportuar disa herë armë kontrabandë në portet egjiptiane dhe pakistaneze.
Info 2 / Porta e veçantë
Në koncesionin e Terminalit Lindor në portin e Durrësit tërheq vëmendjen edhe këmbëngulja e koncesionarit EMS APO për të pasur cikël të mbyllur të shfrytëzimit të Terminalit Lindor d.m.th ai të kontrollojë jo vetëm koncesionin, por edhe agjencinë detare, agjencinë doganore, firmën e ngarkim shkarkimit, sigurinë (security) në terminal etj. Pra, sa më pak sy dhe veshë problematikë, sa më pak hundë-futje në terminal!!! Madje edhe dalja nga terminali bëhet nëpërmjet një porte të veçantë hapur enkas për ti shërbyer këtij të fundit duke anashkaluar kontrollet e autoriteteve.
Info 3 / Kolaterali gjermano-austriak? Toka e shtetit shqiptar!
“EMS APO” – EMS Albania Port Operator ka marrë nga banka austriake Raiffeisen Bank sha një kredi prej 2 milion e 500 mijë eurosh. Kredia në fjalë është marrë e mbështetur në marrëveshjen e kolateralit dt. 20.9.2013 sipas kontratës noteriale me nr. Rep. 4838 dhe nr. kol. 1925. Në pamje të parë, kjo kredidhënie rezulton OK: një bankë e madhe dhe serioze si Raiffeisen Bank i jep kredi një firme kundrejt kolateralit përkatës. Sipas marrëveshjes së kredisë, si kolateral janë vënë 49 për qind e aksioneve të kësaj firme. Faktikisht, një kolateral i tillë është hollow – i zbrazët, siç thonë anglezët. Kompania në fjalë nuk e ka pronë të vetën këtë terminal. Ajo thjesht është koncesionare në këtë terminal. Si pronë të firmës rezultojnë disa automjete, vetura, furgonë, nja dy fadroma të përdorura, 4 vinça me kapacitet 15-tonësh të përdorur, pagesën e të cilëve kompania po ia shlyen me këste Autoritetit Portual Durrës (APD). Me pak fjalë, kompania ka vënë për kolateral një pronë, që nuk është e saj, por e shtetit shqiptar, përfaqësuar nga APD-ja, pronë, të cilën firma e ka me koncesion.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





