U zhvillua në Gjykatën e Durrësit këtë të enjte, seanca e fundit ndaj ish-zyrtarit iranian Hamid Abbasid Noury, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Trupa gjykuese nga Suedia qëndroi në Durrës për tetë ditë për të marrë dëshmitë e shtatë dëshmitarëve kyç, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK (Muxhahedinët e Popullit të Iranit), grupit opozitar në mërgim, të cilët banojnë në “Ashraf 3”, një kamp pranë Durrësit, që është shtëpia e 2,800 anëtarëve. 

Sipas përfaqësuesve të opozitës iraniane, dëshmitë janë vetëm një pjesë e gjithë kësaj masakre që u ndërmor nga autoritetet qeveritare kundrejt anëtarëve të rezistencës.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, Muhamed Muhadesin, kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Iranit tha në një deklaratë për mediat se tashmë trupa gjykuese do ta vazhdonte gjyqin në Suedi. 

“Kjo është vetëm një pjesë e asaj që ka ndodhur në vitin 1988, ku në pak javë u vranë dhe masakruan me shumë se 30 mijë vetë. Ata ishin një pjesë e madhe anëtarë të rezistencës tonë dhe të tjerët civilë të pafajshëm. 

Dëshmitë e 7 personave përfunduan sot, por në do të vazhdojmë gjyqin ndaj ish-zyrtarit të burgjeve, Hamid Nuri, në Stokholm, ashtu siç është parashikuar nga drejtësia suedeze. Këto dëshmi hedhin dritë dhe janë prova e fortë se çfarë ndodhi”, tha Muhamed Muhadesin.

Kujtojmë se që prej datës 10 nëntor, në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, 7 dëshmitarë që kanë vuajtur në burgjet e regjimit të “Ajatollave” kanë rrëfyer para trupit gjykues masakrat e bëra nga zyrtari Hamid Noury në korrik të 1988, kur 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta.

I ashtuquajturi “Xhelati i Iranit”, Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i burgut Gohardasht në Karaj (në perëndim të Teheranit) u arrestua në vitin 2019 në Suedi, ndërsa gjyqi për të ka nisur më 10 gusht të vitit të shkuar dhe pritet të përfundojë fund-prillin e 2022.

K.GJ.