Po zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca e fundit për çështjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në këto momente, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin përfundimtar për Belerin.

Ndërkaq janë zbardhur dhe replikat mes Belerit dhe gjyqtarit Çela.

Beleri: Akuza nuk qëndron dhe SPAK duhet të tërheqë dosjen penale.

Çela: Mos anatemoni gjyqtarët, nuk keni asnjë punë me trupën gjykuese, nëse nuk bie dakord mund të apeloni.

Beleri: U përdorën thëniet e një dëshmitari i dënuar për mashtrim. Kjo çështja ka qenë dhe është politike. U shkel prezumimi i pafajësisë. Nuk ka pasur një proces të rregullt gjyqësor. U ndodha para një diskriminimi.
Qëllimi i arrestimit dhe mbajtja në burg, është që Rama të mbajë zgjedhje të reja në Himarë. Herët ose vonë do ta gjej drejtësinë. Gjyqtarë sot duhet t’i thoni jo naciononalizmit të sëmurë.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Fredi Belerit me 2 vite e 6 muaj burg, për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

SPAK pretendon se me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale të kryera ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij para zgjedhjeve të 14 Majit, si dhe dëshmisë së një personi që zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, ka konfirmuar se Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë dhënë para gjatë fushatës elektorale për të siguruar vota.