Gjyshërit apo të afërmit e tjerë të personave që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’iu ndalohet hyrja për shkak të urdhrit të presidentit Trump, ka vendosur një gjykatës në Hauaji. Sipas urdhrit të Trump, vetëm familjarët e ngushtë do të lejohen të futen në SHBA.
Por administrata e Trumpit kishte vendosur që tek familjarët e ngushtë të mos përfshinte gjyshërit, xhajat, tezet apo kushërinjtë e tjerë. Gjykatësi Uatson e kundërshtoi këtë urdhër dhe vendosi që këto kufizime të mos zbatohen.
Ai dënoi përkufizimin për të afërmit e ngushtë duke e cilësuar si tepër të kufizuar. Uatson theksoi se gjyshërit janë shembulli tipik që duhen përfshirë patjetër në përkufizimin e familjarëve të ngushtë.
Ky urdhër i ri i jep shpresë refugjatëve të cilët kanë një të afërm të ngushtë në SHBA se kanë ende shanse për të shkuar atje, pavarësisht faktit se kufiri prej 50 mijë refugjatësh i caktuar për këtë vit nga Trump është arritur në fillim të kësaj jave.
Prokurori i përgjithshëm i Hauajit është shprehur se ka pasur familje që kanë vuajtur shumë pasi janë ndare duke theksuar se gjykatat vlerësojnë se urdhri ekzekutiv i Trumpit nuk ka baza për ndalimin e terrorizmit dhe është thjesht një pretekst për diskriminim.