Gjykata e Tiranës caktoi masën mjekësore shtrim i detyruar në spital psikiatrik për Vladimir Gjutën, njeriun që konsiderohet si “truri” i sulmeve me tritol ndaj pronave të familjes së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndonëse akuzat nuk iu vërtetuan kurrë.
Prokuroria kërkoi që ndaj Gjutës, të caktohej masa e mjekimit ambulator, çka nënkupton se ai do të mjekohej në kushtet e shtëpisë, për problemet mendore nga të cilat vuan. Të njëjtën kërkesë bëri edhe mbrojtësi i Gjutës, duke pretenduar se në kushtet që ai ndodhet, masa e përshtatshme është ajo e mjekimit ambulator.
Ndërkaq gjykata vendosi mbi kërkesat e palëve, me arsyetimin se Vladimir Gjuta duhet të dërgohet në spital psikiatrik që jo vetëm të kurohet, por edhe për të parandaluar krimet që ai mund të kryejë në të ardhmen, pasi ai është dënuar edhe pesë herë të tjera. Në fakt gjatë gjykimit ekspertët psikiatër kishin mbajtur dy qëndrime të ndryshme me dy akte ekspertimi, e duket se kjo ka qenë arsyeja përse gjykata vendosi ta mbyllë të pandehurin në spital psikiatrik.
Nëse ky vendim i shkallës së parë mbetet në fuqi dhe pas apelimit të tij, atëherë për 12 muaj, Vladimir Gjuta do të dërgohet menjëherë në ambientet e spitalit për të sëmurët me probleme psikike. Gjuta u arrestua muaj më parë, nën akuzën e dhunës ndaj babait të tij, por më pas u lirua pasi ekspertët e mjekësisë ligjore, dolën në përfundimin se në kohën që dyshohet se ka kryer veprën penale, ai ka qenë i papërgjegjshëm mendërisht. Në këto kushte, prokuroria e Tiranës e pushoi akuzën e dhunës në familje ndaj Gjutës, por nga ana tjetër e akuzoi për veprën penale të largimit nga vendi i qëndrimit, për shkak se kishte thyer arrestin shtëpiak që u caktua ndaj tij nga gjykata e Kukësit, për një tjetër vepër penale.
/BalkanWeb/





