Itali, 14 mars 2014 – “Është në gjendje të kuptojë dhe të veprojë”. Kështu është shprehur gjyqtari Paolo Salvatore, i cili mëngjesin e së enjtes firmosi masën e arrestit për 37 vjeçaren Edlira Dobrushi, që tani për tani nuk do të shkojë në burg, por do të vazhdojë të rrijë në spital. Nëna shqiptare akuzohet për vrasjen e trefishtë të vajzave të saj, Simona 13 vjeç, Kejsi 10 dhe Sidni 3 vjeçe. Sipas prokurorit Walter Mapelli deri tani nuk ka elementë që të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një grua të papërgjegjshme. “Gruaja nuk kurohej për probleme psikike dhe dëshmitarët që e njohin e kanë përshkruar një person normal, që po kalonte një situatë të vështirë për shkak të divorcit. Edhe psikiatri që e ka ndjekur këto ditë, që pas arrestimit, thotë se ajo është e kthjellët dhe koherente”,- thotë Mapelli.  

Nisur nga deklaratat e dhëna nga Edlira Dobrushi lidhur me motivet që e shtynë drejt aktit makabër, Mapelli thotë se bëhet fjalë për një arsyetim absurd që merr kuptim vetëm në logjikën e 37 vjeçares. Sipas tij, motivet e pakuptimta që deklaron Dobrushi janë shenja të një problemi të rëndë mendor, por për këtë duhet të shprehen ekspertët. Gruaja vazhdon të qëndrojë në spitalin e Lecco-s, ku u shtrua gjatë së dielës.

Lecco u jep lamtumirën e fundit vajzave

“Lamtumirë engjëj të vegjël!” Me këtë mesazh janë përcjellë mëngjesin e sotëm nga Lecco në Itali, drejt Shqipërisë, trupat e pajetë të tre motrave Dobrushi, të cilat u vranë nga e ëma Edlira. Makinat që transportojnë trupat e 3 vajzave tashmë janë drejtuar drejt Barit, nga ky arkivolet do të imbarkohen në tragetin Bari-Durrës, për të mbërritur mëngjesin e së shtunës në atdhe. Më pas arkivolet do të nisen drejt Kukësit ku do të bëhet varrimi i 3 vajzave të mitura. Rreth orës 6:30 të mëngjesit të sotëm në shtëpinë ku jetonin 3 motrat Dorbrushi, bashkë me nënën e tyre Edlira, janë ndezur dritat. Arkivolet janë nxjerrë një nga një nga xhaxhai dhe familjarët e tyre dhe janë vendosur në makinat e funeralit, ndërsa i kanë vendosur aty edhe lule, dhurata, letra dhe mesazhe të miqve dhe shokëve të klasës së vajzave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/