BOSNJE-HERCEGOVIN, 5 qershor 2013 – Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, e cila për ditë të tëra, për çdo mëngjes vallëzonte dhe ushtronte lakuriq në tavolinën e zyrës së saj në Pallatin e Drejtësisë – para dritares dhe me perde të hapura – do të largohet nga puna, njofton sot gazeta sarajevase Dnevni Avaz.
Gazeta, e cila më 17 maj publikoi fotografitë e gjykatëses – e cila me sa duket kishte njëlloj manie ekzibicionaliste – njofton se Zyra Disiplinore e Prokurorisë së Gjykatës Supreme të BeH kishte filluar hetimet e menjëhershme, për të konstatuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje skandaloze.
Zyra konfirmoi se, menjëherë pas zbulimit të identitetit të gjykatëses ekzibicionaliste, ishte parashtruar kërkesa për largimin e saj të përkohshëm nga puna, ndërkohë që pritet që Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë të sjellë vendimin përfundimtar për këtë rast.
"Kohëzgjatja e largimit të përkohshëm nga puna ende nuk dihet, por, brenda kësaj kohe do të konstatohen faktet e rëndësishme për nisjen e një procesi disiplinor. Identiteti i gjykatëses nuk mund të zbulohet, për shkak se ende nuk ka nisur procesi disiplinor. Mund të pritet që edhe procedurat tjera në vazhdim të jenë mbyllura për opinionin, meqë këtu kemi të bëjnë me një rast shumë specifik”, thanë për gazetën burime brenda Zyrës Disiplinore të Gjykatës Supreme të FBeH’së.





